Karaxhiç dhe Karolos Papulias (majtas)Më 1 janar 2003, Greqia mori kryesinë e Bashkimit Europian. Një shtet që për shumë kohë është konsideruar nga vendet e tjera anëtare si “partneri ngurrues”, “çështja problematike”, apo “delja e zezë” e Komunitetit Europian. Po çfarë dimë në fund të fundit për Greqinë? Si e shohin grekët Ballkanin dhe Europën në tërësi? Dhe përse Karaxhiçi e Mlladiçi në vendin fqinjë vazhdojnë ende të konsiderohen heronj publikë!? Në një intervistë të vetën në Greqi, të shfaqur në vitin 1993 në Alpha Tv, Radovan Karaxhiçi do shprehej: Tani për tani, ne nuk kemi shumë miq. Por Zoti dhe grekët janë me ne.
Grekët u dhanë mbështetje serbëve gjatë luftës në Jugosllavi. Dy javë pas 11 shtatorit, 86% e grekëve simpatizuan me sulmet. Greqia ka ende përplasje me partnerët e saj europianë mbi çështjen e luftës në Jugosllavi dhe spastrimin etnik. Grekët në mënyrë kokëfortë janë kapur pas imazhit të shenjtë të vëllazërisë së tyre me serbët ortodoksë. Politikanë dhe intelektualë grekë i anashkalojnë diskutimet mbi luftën dhe nuk bëhet fjalë që ta shohin atë me një sy kritik. Një nga grekët e paktë që e bëri këtë, ishte Takis Michas; një gazetar i njohur investigativ, shkrimtar kontroversial dhe ‘rënës i kambanave të alarmit’. Ai shkroi një libër që asnjë grek nuk do donte ta lexonte — The Unholy Alliance: Greece and Milošević’s Serbia in the Nineties. Michas vendosi ta shkruante këtë libër pasi pjesa dërrmuese e popullit grek dhe klasa e tij politike, treguan një mungesë totale dhembshurie për fatin e myslimanëve boshnjakë dhe krimet e kryera nga serbët.
Takis Michas do shprehet:
Vendi i vetëm në botë ku Karaxhiçi u prit me nderime, ku u bë një prezantim i veçantë për ’të në stadium, duke i bërë nderimet e një “luftëtari të paqes” ishte Greqia e vitit 1993. Aty ndodheshin të gjithë krerët e Kishës Ortodokse, Pasokut dhe Demokracisë së Re; të gjithë ishin të pranishëm dhe duartrokisnin Karaxhiçin. Ajo ishte dita kur Karaxhiçi tha frazën e famshme: Kemi me vete Zotin dhe grekët. Dhe i gjithë stadiumi u ngrit në këmbë në duartrokitje. Në atë pikë, të shihje Karaxhiçin, të shihje gjithë këtë masë njerëzish që përpiqeshin ta preknin... ishte vërtet tronditëse!Nëse do të pyesni edhe sot e kësaj dite
grekët e zakonshëm nëpër rrugë, se çfarë mendojnë për Karaxhiçin, Mlladiçin dhe Millosheviçin, do dëgjoni përgjigje të tipit: Ata janë patriotë. Heronj dhe patriotë. Ingeborg Beugel, gazetare investigative dhe ish-korrespondente në Greqi, bëri hetime në vendin që mirëpriti në mënyrë të fshehtë Millosheviçin për ditëlindjen e tij të fundit. Në verën e vitit 1998, një jaht privat e solli atë në ishullin e Idhrës (Hydra), si të ftuarin e një manjati grek. Qe një kohë kur e gjithë bota kishte marrë vesh për krimet e luftës. Marrëveshja e Dayton-it ishte firmosur dhe Karaxhiçi ishte mënjanuar; por Millosheviçi këtu qe mjaft i mirëpritur. Millosheviçi erdhi në Idhra bashkë me familjen, me të bijën dhe të shoqen. Bëheshin gjithë-gjithë 20 vetë, një pjesë e mirë e të cilëve pjesë e policisë së tij sekrete, të armatosur. Disa prej tyre qenë truproja greke që presidenti i kohës ia kishte vënë në dispozicion. Banorët vendas tregojnë se Millosheviçi ruhej shumë, dhe futej brenda menjëherë sapo dëgjonte t’i fluturonte ndonjë avion mbi kokë, pasi i druhej ndonjë sulmi nga ajri. Për vite me radhë, i gjithë ishulli e mbajti të fshehtë praninë e Millosheviçit. Edhe shtypi grek nuk dinte gjë për të. Vetëm më vonë, banorët e ishullit guxuan të flisnin.Ka sinjale gjithmonë e në rritje se qytetarë dhe institucione greke kanë luajtur një rol shumë herë më të madh sesa besohej, në luftën në Jugosllavi. Gjatë luftës, shtypi grek shkroi kryesisht mbi fatin e serbëve.
Ingeborg Beugel ka bërë hetime mbi fatin e mercenarëve grekë që luftuan për palën serbe. Mercenarët, apo siç i quajnë grekët... “vullnetarë”. Gazeta Ethnos (13 korrik 1995) disa ditë pas rënies së Srebrenicës:
...vullnetarë grekë, që luftojnë në Bosnjë, valëvitën flamurin grek në Srebrenicë. Në fotot e saj mund të shihen vullnetarë grekë me Radovan Karaxhiçin. Në faqet e kësaj gazete mund të lexoni për një batalion prej më shumë se 100 mercenarësh grekë në Bosnjë. Rreth njëzet grekë luftuan në Srebrenicë. Madje gazeta si Oslobodjenje dhe The Independent kanë raportuar se 4 punonjësve grekë të Kombeve të Bashkuara u janë dhënë medalje nga Radovan Karaxhiçi pas rënies së Srebrenicës.Takis Mihas:
Ka pasur rekrutime të hapura të këtyre njerëzve në rrugë. Njerëzit reklamonin për bashkimin në luftë me vëllezërit tanë... gjëra të tilla. Asnjëherë, asnjëherë askush nga strukturat shtetërore greke ose drejtësia greke... pasi është një çështje e drejtësisë greke të përpiqet të ndërhyjë apo të përpiqet t’i arrestojë njerëzit, jo domosdoshmërisht sepse kanë kryer krime, por të paktën për të dhënë dëshmi të asaj që kanë parë në Srebrenicë, pasi ata morën pjesë në këtë betejë. Unë e ngre vazhdimisht këtë çështje dhe vazhdimisht kam marrë përgjigjen nga burimet tona të mëparshme, që e kam shkruar edhe në libër: nuk ka grekë në Srebrenicë, nuk kemi informacion, kjo çështje nuk na përket. Edhe sot kur e ngre këtë çështje, marr përgjigje të tilla si: nuk është problemi ynë... nuk duam t’ia dimë për këtë histori. Kjo tregon mungesën e gatishmërisë nga ana e autoriteteve greke për t’i ndihmuar gjykatat ndërkombëtare të krimeve në hetimet e tyre.




